Provokim të papërgjegjshëm të kujtdo që e ka propozuar dhe ka miratuar e ka quajtur Kryeministri Edi Rama vendimin e Këshillit Bashkiak të Hasit për t’i dhënë titullin qytetar nderi, ish-deputetit socialist Gafurr Mazreku, i cili 21 vite më parë plagosi me armë në parlament Azem Hajdarin.

Kryeministri thotë se i ka kërkuar Prefektit të Kukësit të refuzojë firmosjen e atij vendimi, duke thënë se në mbledhjen e grupit parlamentar e kishte dënuar këtë shfaqje të shëmtuar, ndonëse sipas tij këshilltari i vetëm i Partisë Socialiste nuk kishte votuar pro vendimit.

Reagimi i Kryeministrit erdhi pas akuzave të Partisë Demokratike që tha se Edi Rama është urdhërdhënësi dhe frymëzuesi i këtij vendimi. Por Partia Demokratike iu përgjigj sërish qëndrimit të Kryeministrit, duke thënë se Edi Rama nuk mund të fshihet pas firmës së prefektit dhe se për t’u distancuar nga ky akt duhet të shkarkojë kryetarin socialist të Bashkisë së Hasit.

Për shpalljen qytetar nderi të Gafurr Mazrekut reagoi edhe institucioni i Presidentit të Republikës. Presidenca thekson se dekorimi i personave të dënuar me vendim gjykate për plagosje me armë, nuk përputhet me standardet e një shoqërie demokratike.

Ndërsa ish-Kryeministri Berisha shkruan se me këtë vendim Edi Rama e ekzekutoi për herë të dytë Azem Hajdarin.

Tv Klan