Nevojitet prania e policisë në “akset problematike”

Nuk është një pistë garash, po shpejtësia e automjeteve në aksin Tiranë – Elbasan e kthen në një të tillë. Shpejtësia e tyre arrin deri në 200 km/orë. 

Paralajmërimet dhe as ndëshkimet e Policisë Rrugore nuk ja kanë dalë të shmangin aksidentet. Në vetëm dy netë, vetëm pak kilometra larg njëri-tjetrit kanë vdekur tre të rinj, dhe kjo nuk duhet përkthyer vetëm si statistikë.

Vetëm në muajin Tetor, Policia Rrugore ka pezulluar 132 leje drejtimi dhe ka vendosur gjoba për tejkalim shpejtësie. Po mesa duket këto masa nuk mjaftojnë për të frenuar rrezikun, gjë që e dëshmoi edhe aksidenti i së dielës ku një 17-vjeçar humbi jetën.

Ishte ora 22:00 e së dielës kur makina tip “Benz” ku ndodhej 17-vjeçari humbi kontrollin dhe u përplas me një tjetër makinë që ndodhej në sensin e djathtë të rrugës.

Shenjat e frenimit nga shpejtësia e madhe janë ende të dukshme, po kjo rezultoi fatale për jetën e 17-vjeçarit pasagjer dhe çoi drejt prangave 18-vjeçarin që drejtonte automjetin.

Policia Rrugore e Tiranës gjithsesi nuk është prezente aq sa duhet në ato që konsiderohen si pika të zeza të trafikut, çka do mund të ndikojë sado pak në rregullimin e qarkullimit uljen e aksidenteve dhe numrit të viktimave.

Gjatë muajit Tetor janë arrestuar 78 drejtues si dhe janë proceduar 67 të tjerë për tejkalim të normave të shpejtësisë apo drejtim të automjetit nën efektin e alkoolit. 700 leje drejtimi janë pezulluar në të gjithë vendin, po mesa duket as kjo dhe as 11.200 gjobat e vëna nuk kanë shërbyer për të ndërgjegjësuar se shpejtësia vret.

Tv Klan