Ekspertët: Duhen radarë dhe masa të forta për përsëritësit

Aksidente të tilla për shkak të shpejtësisë së lartë të automjeteve janë bërë të shpeshta në zonat urbane.Pak ditë më parë një tjetër aksident i rëndë për shkak të shpejtësisë ndodhi në rrugën e “Xhanfize Keko” në Tiranë. Fatmir Hasho, ekspert i sigurisë rrugore, thotë se në rrugët e qyteteve nuk ka radarë që masin shpejtësinë e mjeteve, çka mund t’i frenonte drejtuesit e tyre.

“Duhet të ketë patrulla policie me kontroll të dedikuar në zona të ndryshme. Ka radarë në rrugë interurbane, por sipas meje duhen më me shumicë në ato urbane sepse kanë edhe më tepër efekt. Në zonat urbane tejkalimi i shpejtësisë me 10 apo 20 km/orë shkakton dëme direkte dhe sidomos me këmbësorët. Me 40 km në orë nuk ke shansin të hipësh në trotuar”.

Sipas Hashos, duhet krijuar një regjistër për drejtuesit që bëjnë shkelje të përsëritura, në mënyrë që ndaj tyre të ndërmerren masa.

“Nëse një person ka 5 shkelje në një periudhë të caktuar, po them 6 mujore, për të njëjtën gjë, atëherë ky është një person me precedent që duhet monitoruar, i duhet hequr patenta, duhet rikthyer tek shkolla, etj”. 

Sipas INSTAT, në 4 muajt e parë të këtij viti, pati në total 427 aksidente, pjesa më e madhe e tyre për shkak të tejkalimit të shpejtësisë. 201 aksidente u shënuan në qarkun e Tiranës, e ndjekur nga Lezha, Fieri dhe Durrësi.

Tv Klan