Mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, alkooli, shpejtësia tej normave të lejuara, parakalimet e gabuara si dhe përdorimi i celularit gjatë udhëtimit janë shkaqet kryesore të aksidenteve për vitin 2024.

Eksperti i sigurisë rrugore Islam Qibini sheh si shqetësuese tejkalimin e shpejtësisë sidomos nga moshat e reja.

“Kemi një nënvlerësim, shpërfillin dukshëm rregullat e qarkullimit rrugor”, tha Qibini.

Sipas tij zgjidhje nuk janë gjobat por pezullimi i patentës dhe ulja e pikëve.

“Te kjo kategori drejtues që janë mosha të reja, dhe prindërit e tyre kanë të ardhura nuk e kanë problem përshembull që të paguajë dyfishin e masës me gjobë”, tha Qibini.

Sipas Qibinit, Kodi i Rrugor ka nevojë për një VKM ku të përcaktohen të gjitha shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e mjeteve.

“Kodi Rrugor përmban disa dispozita për përgjithshme sa i përket sjelljes së përdoruesve të rrugës. Ka ardhur koha që të bëhet një rregullore për përdoruesit e rrugës që të përcaktohen drejtë detyrat dhe të drejtat gjatë lëvizjes me mjete”, tha Qibini.

Gjatë vitit 2024 ndodhën 1,666 aksidente, me 175 të vrarë dhe 216 të plagosur rëndë.

Tv Klan