Për t’i shpëtuar dëmtimit, shpellat do të shpallen zona të mbrojtura. Nga fshati Pëllumbas, ministri i Turizmit Blendi Klosi tha se projektvendimi synon që ato të përdoren për qëllime turistike.

“Ka ardhur koha në Shqipëri që edhe mbrojtja ligjore është shumë e nevojshme dhe kjo duhet të fillojë që nga banorët e Pëllumbasit, të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, që duhet të jenë solidarë në mbrojtjen e një pasurie të tillë, e cila nuk mund të rrezikohet për asnjë rast nga biznesi i 2-3 guroreve apo nga një biznes që mund të bëjë një HEC apo një hotel te hyrja e shpellës. Pika e dytë po ashtu e rëndësishme, është menaxhimi i kësaj pasurie. Ne nuk i kemi pasuritë natyrore, zonat e mbrojtura, objektet e tyre vetëm për t’i konservuar. Ajo është një gjë shumë e rëndësishme, por ne i kemi që ato të shikohen. Ne jemi të gatshëm që edhe në kuadër të projekteve që ka Ministria ta mbështesim transformimin e kësaj shpelle nga një monument natyre, në një monument natyre të mbrojtur, të shikueshëm, por pa dyshim duke bërë këto me të gjitha normat, parimet, rregullat të cilat nuk lejojnë që ai të dëmtohet.”

Sipas Klosit, në të gjithë Shqipërinë janë zbuluar mbi 100 shpella, të cilat mund të jenë atraksione turistike.

Tv Klan