Lëvizja Vetëvendosje ia ka dalë që të mbajë drejtimin e Prishtinës edhe për 4 vite të tjera pasi Shpend Ahmeti fitoi dhe një mandat tjetër pas përfundimit të numërimit të votave të dërguara me postë. Në një konferencë për shtyp ai tha se do të mbajë premtimet.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti ka arritur të sigurojë edhe një mandat tjetër në drejtim të Prishtinës. Pas përfundimit të numërimit të votave, ai mbajti një konferencë për media ku tha se tashmë është koha për përmbushjen e 100 zotimeve të dhëna para 4 viteve. Ahmeti nënvizoi se do të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe përpjekjet për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Prishtinës.

Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës: “I gjithë viti 2017 shkoi me fushata, por u konfirmua që ne vazhdojmë qeverisjen edhe për 4 vite të tjera në Prishtinë. I falenderoj qytetarët e Prishtinës për një proces ndër më të rregulltit që kemi parë ndonjëherë në historinë e Kosovës. I falënderoj të gjithë ata që votuan për ne, por edhe ata që nuk na votuan. Në fushatë ka më shumë ndarje, por tash e tutje zotohem që do të punoj të gjithë ata që janë për vazhdimin e reformave për luftimin e korrupsionit dhe përmirësimin e mirëqenies. I ftoj të gjitha subjektet politike, asambleistët dhe shoqërinë civile që të na bashkangjiten në përmirësimin e Prishtinës. Është koha për përmbushjen e 100 zotimeve tona”.

Më tej, Ahmeti ka falënderuar veçanërisht Diasporën për votat që i kanë dhënë. Ai ka triumfuar ndaj rivalit të tij, Arban Abrashi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës vetëm me 365 vota më shumë. Ndërkohë, për Lëvizjen Vetëvendosje ka ardhur edhe një tjetër fitore. Drejtimi i komunës së Prizrenit do t’i takojë pikërisht kandidatit të kësaj partie, Mytaher Haskuka. Ky i fundit mundi rivalin e tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Shaqir Totaj.

/abcnews.al