Euro dhe Dollari arrijnë në nivelet më të ulta që prej Marsit 2020

Javët e fundit monedha kombëtare është forcuar ndjeshëm në tregun vendas, duke përmbysur ekuilibrin rreth vlerës 124.5 Lekë që mbajti Euro gjatë gjithë vitit.

Sot në tregun e këmbimit valutor, 1 Euro shitet me 123 Lekë, ndërsa disa ditë më parë, vlera e monedhës së përbashkët europiane zbriti në 122 Lekë.

Ekspertët e ekonomisë thonë se faktorët që kanë ndikuar në këtë mbiçmim të Lekut janë sezonalë, prurjet në Euro janë më të larta për shkak të remitancave, ardhjes së emigranitëve dhe shpenzimeve që bëjnë konsumatorët, ndërsa kërkesa për këtë monedhë është e ulët pasi udhëtimet jashtë vendit këtë vit kanë qënë pothuajse zero.

“Janë faktorë sezonalë, dërgesat janë rritur, shumë njerëz kanë thyer kursimet në valutë për festa, ndërsa nuk ka kërkesë për të blerë Euro për ata që udhëtojnë jashtë”.

Që në fillim të Dhjetorit, edhe Dollari amerikan pësoi një rënie të konsiderueshme në tregun vendas, por ekspertët sqarojnë se arsyet lidhen më shumë me tregjet e huaja, ndërsa vijimi i zhvlerësimit të tij gjatë ditëve të fundit lidhet me efektet sezonale të rritjes së kërkesës për Lekë.

“Fillimisht rënia e Dollarit është lidhur me tregjet financiare pasi ka patur disa ngurrime për të kaluar ligjin e mbrojtjes sociale, dhe pati një forcim të Euros që u reflektua dhe në vendin tonë, ndërsa ditët e fundit është më shumë për shkak të faktorëve vendas”.

Ekspertët thonë se kursi do të stabilizohet rreth vlerave që ka patur brenda muajit Janar, nëse nuk ka ndryshime të rëndësishme në tregjet e huaja. Një Euro këmbehet sot në tregun vendas me 123 Lekë, një Dollar me 100 Lekë, ndërsa Paundi britanik me 135.8 Lekë.

Tv Klan