UEFA njoftoi se ka shpërndarë shifrën rekord prej 233 milionë euro për 901 klube europiane nga 55 federata anëtare. Ato janë pjesë e fondit të shpërblimeve për angazhimin e lojtarëve në ekipet përfaqësuese nga viti 2020 deri më 2024.
Fondet janë lëvruar si pjesë e Programit të Benefitit të Klubeve, nga pagesat që lidhen me finalet e Europianit 2024. Por, nëse skuadrat në kontinent përfituan një thesar të vogël, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për ekipet shqiptare.
Të ardhurat e ekipeve të Superiores janë fare të ulëta. Në total bëhet fjalë për 150 mijë euro. Partizani fut në arka mbi 29 mijë euro, Egnatia mbi 36 mijë, teksa fitimet më të mëdha i ka Tirana me më tepër se 84 mijë euro.
Edhe klubet e Superligës së Kosovës kanë përfituar pak: rreth 121 mijë euro të ndara mes Ballkanit, Dukagjinit dhe Llapit. Pjesa më e madhe e fitimeve shkoi për klubet angleze, me afro 47 milionë euro, të ndjekura nga ekipet italiane me 35, gjermane 30 dhe spanjolle me 22 milionë euro.