Me kërkesë të Prokurorisë së Vlorës, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për kryeinspektorin e Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Vlorë, Kledjon Rama, i dyshuar për “shpërdorim detyre”. Masa e caktuar nga gjykata është zbatuar nga Policia.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, vetëm për gjashtë muajt e parë të vitit 2017, janë referuar dhe regjistruar në regjistrin e veprave penale 81 materiale për veprën penale të parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal.

Nga administrimi i këtyre materialeve rezulton se në asnjë prej këtyrë rasteve nuk ka paraqitur kallëzim penal IMT pranë Bashkisë Vlorë.

Ndërsa nga administrimi i dokumenteve pranë IMT në Bashkinë Vlorë, rezulton se ky institucion nuk ka mbajtur asnjë procedurë administrative në lidhje me 81 rastet, për të cilat shërbimet e policisë gjyqësore kanë referuar materialet hetimore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Nga të dhënat e mësipërme,

sqaron Prokuroria në një njoftim zyrtar,

rezulton se nga Kryeinspektori i IMT-së pranë Bashkisë Vlorë, janë kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, të kryera në kundërshtim me ligjin “Për inspektimin e ndërtimit”.

Rezulton se është detyrë funksionale e Kryeinspektorit të IMT-së, që të kontrollojë zbatimin e ligjshmërisë dhe standarteve teknike ne fushën e ndërtimit dhe urbanistikës, si dhe të evidentojë çdo ndërtim pa leje, duke marrë masat përkatëse deri në paraqitjen e kallëzimit penal. 

Mbi bazën e kërkesës së prokurorit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, për personin nën hetim, Kledjon Ramaj. Rezulton se shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë bërë të mundur ekzekutimin e këitj vendimi, duke e arrestuar atë të mërkurën./tvklan.al