Veliaj: Këtë vit mbyllim rindërtimin edhe në qytet

Pas katër shkollave të reja, Pezës i është shtuar edhe një lagje e re, me 25 banesa, ku janë strehuar familjet e prekura nga tërmeti i 2019. Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi këtë moment si një mundësi dhe fillim të ri për të gjithë komunitetin.

“Këtu kemi ndërtuar një komunitet sepse akti i strehimit është vetëm fillimi. Ndaj, vlerën më të madhe sot e shoh jo te kjo që po na sheh syri, por tek ajo që na sheh zemra dhe mendja, se çfarë realitetesh prodhohen kur fëmijët jetojnë pranë shkollave të reja, pranë ambulancës, pranë konsultores, pranë rrugës kryesore, që të lidh me Tiranën dhe Durrësin. Sot kemi bërë vërtet një punë të dobishme”, tha Veliaj.

Këtë vit do të mbyllet procesi i rindërtimit edhe në zonën urbane dhe shume shpejte do te hidhet shorti për shtëpitë në Kombinat.

“Pjesa më e madhe e qytetarëve janë futur në banesat e “5 Majit”. Shumë shpejt do të hedhim shortin edhe për banesat e Kombinatit. Nuk jam tip që ankohem, por kemi pasur sfida të jashtëzakonshme, përfshi edhe hapësirën këtu ku jemi sot, e cila duket sikur ishte një tokë bosh, duke filluar me historitë e shpronësimit, te ato të ndërtimeve pa leje, te historitë e hartave të mbivendosura, apo historitë e gjyqeve, ndonjëherë brenda familjes”, shtoi kryebashkiaku.

Në lagjen e re në Pezë janë ndërtuar 25 shtëpi individuale si dhe është investuar në infrastrukturën publike.

Tv Klan