Një gazetë lokale në SHBA fitoi çmimin Pulitzer në gazetari për mbulimin mediatik që i bëri një sulmi të armatosur në redaksinë e saj. Gazeta “The Capital” me bazë në Maryland mësoi të hënën se kishte fituar çmimin më prestigjioz për gazetarinë amerikane. Stafi ia dedikoi çmimin pesë kolegëve të tyre që mbetën të vrarë kur një person i armatosur hyri në zyrat e redaksisë në Qershor të vitit 2018 dhe nisi të hapte zjarr.

Kjo gazetë mori lavdërim të veçantë për guximin që patën gazetarët për të mbuluar mediatikisht sulmin që ndodhi në redaksinë e tyre. Gazetarët John McNamara, Wendi Winters, Rebecca Smith, Gerald Fischman dhe Rob Hiaasen humbën jetën nga sulmi vdekjeprurës. E megjithatë, të nesërmen e ngjarjes stafi arriti të nxirrte në kohë numrin e radhës të gazetës, pavarësisht se një ditë më parë ishin prekur nga një prej sulmeve më vdekjeprurëse ndaj gazetarëve në historinë amerikane. Bordi i çmimit Pulitzer akordoi edhe një fond prej 100 mijë Dollarësh për këtë gazetë.

Mbulimi mediatik i sulmeve me armë bëri që çmimi prestigjioz të jepej edhe për dy gazeta të tjera lokale. Gazeta “Pittsburgh Post-Gazette” mori Pulitzer për raportimin që bëri në sulmet e Tetorit të kaluar në një sinagogë të Pensilvanisë ku u vranë 11 persona.

Edhe gazeta lokale “South Florida Sun Sentinel” u nderua me këtë çmim për mbulimin mediatik të të shtënave me armë në gjimnazin ‘Marjory Stoneman Douglas’ ku mbetën të vrarë 17 vetë në Shkurt të vitit 2018.

Çmimi Pulitzer shkoi gjithashtu edhe gazetat “New York Times” dhe “Wall Street Journal” për zbulimet që kanë bërë lidhur me hetimet për Presidentin Trump.

Washington Post fitoi dy çmime Pulitzer për fotoreporterët në Jemen. Kurse agjencia e lajmeve Reuters mori çmim për investigimin në lidhje me vrasjen e 10 burrave Rohingya në Mianmar.

/tvklan.al