Bllokimi i rrugëve dhe i zonave verilindore ka sjellë shqetësim për të gjitha autoritet shtetërore. Prej gati dy javësh zonat e mbuluara nga dëbora janë marrë në dorëzim nga disa institucione dhe Ministria e Mbrojtjes. Situata sot paraqitet ndryshe.

Sipas të dhënave gati të gjitha rrugët janë të hapura. Trupat xheniere, sipas gjeneralit të brigadës Pëllumb Qazimi kanë arritur të zhbllokojnë rrugët Fushë Arrëz-Kukës, ndërsa mbrojtja civile atë Klos-Bulqizë-Shupenzë.

Dy rrugë kanë funksionuar deri tani për dërgimin e ndihmave, rruga tokësore dhe ajo ajrore. Forcat e armatosura kanë nisur deri tani rreth 150 ton ndihma, një pjesë e të cilave dhuruar nga Kryqi i Kuq.

Në operacion kanë ndihmuar edhe helikopter të KFOR-it. Edhe sot nga regjimenti i helikopterëve në Farkë janë nisur dy të tillë me ndihma ushqimore drejtë Mirditës.

Gjenerali Pëllumb Qazimi thotë: “Gjatë ditës së sotme do të realizohen fluturime me helikopter në drejtim të zonës së Fanit të Mirditës. Dhe njëkohësisht edhe një ndihmë rreth 30 ton që do të shkojë në drejtim të Rrëshenit për zonën e Mirditës. Po kështu një helikopter sot është nisur në drejtim të Sllovës së Peshkopisë. Po të shikojmë në pikëpamje të terrenit janë disa zona që janë mbuluar me përparësi, siç është zona e Tropojës, zona e Iballës në Pukë, zona e Sllovës, e Selishtës në Peshkopi, edhe zona e Lurës.”

Me ndihma të tilla janë mbuluar Kukësi, Peshkopia, Puka sot edhe Mirdita./tvklan.al