Tre persona janë arrestuar në qytetin e Durrësit gjatë një aksioni të koduar “High Quality” për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Të arrestuarit janë organizatori E.Ç. 28 vjeç, shpërndarësi F.K. 20 vjeç dhe bashkëpunëtorja e këtij të fundit, 20-vjeçarja me iniciale M.M.

Policia thotë se të tre këta persona shpërndanin heroinë dhe kokainë në doza, çmimi i së cilës varionte nga 40 në 100 Euro. Lënda narkotike sigurohej nga 28-vjeçari, i cili është person me precedent penal në këtë fushë, dhe më pas shpërndahej nga 20-vjeçari.

Gjatë aksionit, 20-vjeçari me iniciale F. K. u kap me 11 doza heroinë dhe 5 doza kokainë, të cilët i kishte gati për shitje.

Nga kontrolli fizik dhe kontrolli i banesave të të arrestuarve u gjetën dhe sekuestruan 244 gram heroinë dhe 11 doza, si dhe 239 gram kokainë dhe 5 doza. Po kështu,u sekuestruan rreth 5 milionë Lekë të vjetra dhe biçikleta që përdorte 20-vjeçari për të shpërndarë lëndën narkotike. /tvklan.al