Qerimaj sulmon Gjozën: Fshihen raste dopingu, shfrytëzohen fondet për familjarët

Pak ditë më parë u shpall nënkampion Europe, ndërsa tashmë Erkand Qerimaj është lënë jashtë kombëtares shqiptare për në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes. Ka qenë vetë 35-vjeçari që ka pranuar se do ta ndjek nga shtëpia këtë aktivitet të rëndësishëm, pasi nuk është regjistruar nga Federata e Peshëngritjes.

“Me Siguri nuk ka dashur që unë të shkoj. Si duket unë që qoj Flamurin sjell Medalje duhet të rri në shtëpi!! Sepse Presidenti duhet të marri familjarët për Turizëm ne Vende të bukura si Tailanda, Kuba Arabia, për turizëm”, shkruan peshëngritësi.

Gjithçka duket se ka të bëj pas akuzave të forta të sportistit shkodran ndaj presidentit të kësaj federate, Elez Gjoza. Nënkampioni i Europës dhe fitues i shumë medaljeve ndërkombëtare thotë në një mesazh në rrjetet sociale se është fshehur një rast me doping të një peshëngritësi shqiptar. 

“Skandali i fundit në Federatën e Peshëngritjes, rasti i fundit i një rasti sportist që është kapur me doping është mbajtur i fshehur nga Federata dhe institucionet për të mbrojtur Federatën dhe Elezin. Mendimi është që urgjentisht Elez Gjoza të japë dorëheqjen e të bëhen zgjedhje të reja, shkruan peshëngritësi.

Por akuzat janë konsideruar të pavërteta nga federata.

“Në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes nuk ka asnjë njoftim që një prej sportistëve tanë të jetë kapur pozitiv me doping dhe Federata ta ketë fshehur këtë rast”, shkruhet në reagimin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.

Klan News