Të lënduarit në gjendje të rëndë, dërgohen në QSUT

Katër anëtarë të një familje nga Lezha kanë mbetur të plagosur si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi në një hotel në Velipojë. Ngjarja ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit të së dielës dhe të lënduar mbetën Alketa Gjoka, 40 vjeçe dhe fëmijët e saj Danjela, 19 vjeçe; Klarisa, 15 vjeçe dhe Enriko, 12 vjeç. Të katër të plagosurit u dërguan fillimisht në Spitalin Rajonal të Shkodrës, por nisur nga gjendja e rëndë, u nisën më pas me helikopter në pavijonin e djegieve në QSUT.

Pas konsultës së parë mjekësore është konstatuar se pacientët kanë djegie të rënda në trup dhe janë duke u trajtuar me mjekim intensiv dhe në ndjekje të vazhdueshme nga stafi mjekësor. Të afërm të familjes Gjoka tregojnë se gjithçka ka nisur si pasojë e shpërthimit të një prej bombolave që gjendeshin në hotelin që ishte në pronësi të kësaj familje.

Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm, pasi i gjithë kati i parë i hotelit është shkatërruar dhe orenditë kanë përfunduar jashtë, ndërsa gjithçka brenda është shkrumbuar. Forcat zjarrfikëse dhe policia me mbërritjen në vendngjarje bënë të mundur nxjerrjen e 5 bombolave të pashpërthyera, duke shmangur pasoja edhe më tragjike të kësaj ngjarje.

Alketa së bashku me tre fëmijët e saj kishin mbërritur në hotel vetëm një natë më parë dhe kishin vendosur që të bënin pastrimet dhe rregullimet e nevojshme në mënyrë që ta bënin gati të prisnin pushues.

Tv Klan