Ngjarja në një byrektore në zonën e Yzberishtit

3 gra nga kanë mbetur të lënduara nga rrjedhja e një bombole gazi mëngjesin e së mërkurës në Yzberisht. Ngjarja ndodhi në këtë byrektore në rrugën “3 Dëshmorët”.

“Shpërthimi i bombolës në orën 7:25 të mëngjesit ka lënduar pronaren dhe 2 punonjëse të byrektores. Ato janë jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që hetuesit vazhdojnë punën brenda subjektit për të parë nëse bombolat ishin të kolauduara”.

Shpërthimi ka ndodhur sapo pronarja Klodiana Simeci dhe 2 punonjëset e saj kanë hapur derën për t’u futur brenda biznesit. Trysnia e gazit ka dëmtuar në sy njërën nga punonjëset, si dhe i ka shkaktuar disa plagë pronares, të cilat janë dërguar menjëherë në spital për të marrë mjekim.

Dyshimet e para nga grupi hetimor janë se shkak i shpërthimit ka qenë rrjedhja e gazit gjatë natës nga 2 bombolat që ndodheshin aty. Për pasojë edhe dëmet materiale janë të shumta, xhama të thyer dhe pajisje të dala jashtë funksioni. Të tronditur kanë mbetur edhe banorët e lagjes. Një grup hetuesish po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Tv Klan