Vetëm dëme materiale, apartamenti prej vitesh i pabanuar

“Një sasi lëndë plasëse u vendos në derën e jashtme të apartamentit pas krahëve të mi, në pronësi të Muhamet Dukës. Si pasojë e shpërthimit pati vetëm dëme materiale, pasi banesa prej kohësh është e pabanueshme”.

65-vjeçari është babai i Leonard dhe Erlis Dukës, të akuzuar si organizatorë të vrasjes së ish-efektivit të policisë, Santiago Malko në vitin 2019, në rrugën “Xhanfize Keko” në Porcelan.

Leonard Duka u arrestua pak kohë më parë në Belgjikë, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat e ekstradimit.

Banorët e pallatit tregojnë se prej vitesh 65-vjeçari Duka nuk banon aty. Por ata thonë së shpërthimi shkaktoi panik.

Policia dyshon se ngjarja mund të lidhet me të shkuarën kriminale të vëllezërve Duka dhe me përplasjet e tyre me disa grupe të tjera. Megjithatë, deri tani grupi hetimor nuk përjashton as pista të tjera.

Policia ka sekuestruar dhjetëra pamje filmike, të cilat mësohet se kanë fiksuar një person që dyshohet se vendosi sasinë e eksplozivit.

Tv Klan