Të paktën shtatë njerëz u vranë dhe po aq u plagosën kur një makinë bombë shpërtheu pranë Ministrisë së Brendshme afgane në Kabul, njoftuan zyrtarët.

Shpërthimi ndodhi në zonën Qasaba në rrethin e policisë së kryeqytetit në veri të aeroportit të Kabulit, tha zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Nasrat Rahimi.

Askush deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Militantët taleban sikurse grupi militant ekstremist Shtetit Islamik janë aktivë në Kabul.

Të gjithë të vdekurit ishin civilë, tha Rahimi, ndërsa shtoi se numri i viktimave mund të rritet.

Shpërthimi erdhi një ditë pasi qeveria afgane liroi tre të burgosur kryesorë nga radhët e talebanëve, duke përfshirë Anas Haqqani, vëllain më të ri të Sirajjuddin Haqqani, drejtuesin e rrjetit Haqqani, në këmbim të dy profesorëve të Universitetit Amerikan të Afganistanit në Kabul, një amerikan dhe një australian.

Disa analistë kishin shpresuar se ky zhvillim mund të ulë dhunën në Afganistan. As talebanët dhe as rrjeti Haqqani, i cili është pjesë e grupit militant, nuk e kanë komentuar deri më tani për shkëmbimin e të burgosurve. /REL