https://www.youtube.com//embed/bl38_RmWZfI

Ky është momenti, kur autobusi me 31 persona shpërtheu në flakë në qendër të qytetit të Krujës.

Mjeti me targa AA 584 MP, që transportonte një grup besimtarësh të Kishës së Shën Theodhorit në Vlorë, ka shfaqur probleme gjatë ngjitjes për në qytetin e Krujës.

Pranë Qendrës Shëndetësore, një shkëndijë elektrike e ndodhur në motor, u bë shkak që autobusi të përfshihej menjëherë nga flakët. Ishte ora 11:25.

Një nga pasagjeret, Vjoleta Xhika 65 vjeç, nuk mundi të dilte në kohë nga mjeti. Ajo gjeti vdekjen mes flakëve.

11 gra të tjera u plagosën, disa prej të cilave në gjendje të rëndë.

Zjarrëfikësit mundën të nxjerrin disa orë më vonë trupin e pajetë të gruas. Pasagjerët e plagosur kanë dëshmuar në polici se fillimisht kanë ndjerë erën e keqe, por menduan se ishin plehrat që digjeshin anës rrugës.

Ata janë shprehur se nuk kanë reaguar vetëm kur ka shpërthyer zjarri në pjesën e përparme. Sipas tyre dera u bllokua dhe nuk kishin nga të dilnin, ndërkohë që zjarri përfshiu sediljet.

Shpëtimtar ka qenë një kalimtar që ka thyer dyert me një sëpatë që kishte me vete. Mësohet së autobusi është i vit prodhimit 2006.

Akti i ekspertimit teknik për udhëtimet ishte kryer në 24 dhjetor të vitit 2015, ndërsa kolaudimi i skadonte në qershor të këtij viti. Pronar dhe drejtues i mjetit është identifikuar shtetasi Skënder Jonuzaj, 56 vjeç, i cili është marrë në pyetje në komisariatin e Krujës.

Tv Klan