Një shpërthim ndodhi mbrëmjen e kësaj të enjteje në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Burime për tvklan.al thonë se një automjet ka shpërthyer, pasi i është vendosur lëndë plasëse.

Automjeti ishte në pronësi të prokurorit Arjan Muça. Në momentin e shpërthimit, makina ndodhej e parkuar brenda parkingut të një qendre tregtare.

Sipas policisë, lënda plasëse dyshohet se ishte vendosur në pjesën e përparme të makinës. Fatmirësisht nga ngjarja nuk pati persona të lënduar.

“Benzi A Class i vitit 2002, i përket një prokurori të komanduar të KLP-së, i cili është Arjan Muça. Aktualisht po kryhen veprimet. Mjeti ka dëmtime në pjesën e përparme. Ky automjet përdoret nga ky prokuror. Prej një periudhe 2-vjeçare çdo natë parkohet pranë kësaj qendre. Janë marrë masa nga struktura të Drejtorisë Vendore të Policisë për domkumentimin e kësaj vepre penale që ju njoftova. Nuk ka dëmtime në njerëz, nuk ka dëmtime të mjeteve të tjera. Është një shpërthim që ka ndodhur në parakolpin e këtij mjeti, por ka dëmtime në motor dhe në pjesën e përparme të mjetit. S’ka pasur asnjë person afër. Grupi hetimor po merret me pamjet dhe ndjekjen e veprimeve hetimore“, tha në një dalje për mediat, kreu i policisë së Tiranë, Rebani Jaupaj.

Tvklan.al sjell pamje nga vendi i ngjarjes, ku siç mund të shihet ndodhen forca të shumta policie, ashtu sikurse edhe zjarrfikësja./tvklan.al