Autoritetet nisin evakuimin emergjent të banorëve

Spektakël i natyrës, por me pasoja të rënda tek banorët. I tillë është vullkani Taal, i shpërthyer gjatë orëve të fundit në Filipine. Shpërthimi zgjati në harkun kohor prej orës 2 deri në 5 të mëngjesit, ku nëntoka çliroi llavën në sipërfaqe e po ashtu duke përhapur një re gjigante tymi, e shoqëruar edhe me rrufe.

Autoritetet shpallën gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe nisën evakuimin urgjent të banorëve. Deri më tani janë evakuuar mbi 8 mijë njerëz. Në zonën e rrezikut me një rreze deri 17 kilometra nga vullkani jetojnë mbi 900 mijë banorë. E gjithë zona u mbulua nga shtresa e pluhurit dhe baltës që çliroi vullkani.

Autoritetet urdhëruan pajisjen e njerëzve me maska kundër gazit, pasi frymëmarrja në kushte normale është thuajse e pamundur. Megjithatë, kjo nuk e pengoi këtë çift aventurierësh të zhvillonin ceremoninë e martesës me vullkanin gjatë shpërthimit në sfond.

Reja e tymit mbërriti deri 70 kilometra në veri ku ndodhet kryeqyteti Manila, ku autoritetet pezulluan fluturimet e avionëve. Vullkani Taal i ndodhur në qendër të liqenit me të njëjtin emër është i dyti më aktivi në Filipine dhe në 450 ka shënuar 34 shpërthime të shoqëruara edhe me lëkundje tërmeti.

Tv Klan