Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur kryeqytetin turk Ankara mbrëmjen e së enjtes. Sipas agjencisë ndërkombëtare të lajmeve, “Reuters”, shpërthimi ka ndodhur rreth orës 20:05 (me orën lokale) dhe është dëgjuar në shumë pjesë të qytetit me pothuajse 6 milionë banorë.

Shpërthimi mësohet se ka ndodhur në Zyrën Qendrore të Tatimeve dhe shkak është bërë kompresimi i gazit natyror.

Deri më tani nuk janë raportuar viktima, por vetëm dëme të mëdha materiale.  

Në një njoftim për mediat, zyra e guvernatorit të Ankarasë tha se ndërtesa fatmirësisht ka qenë bosh në momentin e shpërthimit. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat po hetojnë për shkakun e shpërthimit të fuqishëm që ka shkaktuar panik të madh tek banorët.

Ankaraja është tronditur nga një serë sulmesh me bomba në vitet 2015-2016, të cilët kanë shkaktuar qindra të vdekur.

/tvklan.al