Preng Gjini nxirret në gjendje të rëndë nga makina e shkatërruar

“I ngjashëm me një akt terrorist, një shpërthim i fuqishëm tritoli ka ndodhur në urën e ish-Nisharakut në Tiranë. Objekt i atentatit me shpërthim të telekomanduar ka qenë Preng Gjini“.

Këto janë pamjet menjëherë sapo makina e Preng Gjinit shpërtheu. Lënda eksplozive ishte vendosur poshtë automjetit të tij. Preng Gjini ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në Spitalin e Truamës. Nga shpërthimi janë plagosur edhe dy persona të tjerë, një shtetas italian dhe një fëmijë që po kalonin mbi urë ku ndodhi atentati.

Policia dyshon se një person e ka ndjekur Preng Gjinin dhe më pas ka kryer shpërthimin nëpërmjet telefonit.

Në zonën e Tiranës së Re u krijua kaos me qytetarë të trembur nga ajo se çfarë panë, ndërkohë që zhurma e shpërthimit është dëgjuar deri në Kombinat.

Fillimisht ishin qytetarët që e ndihmuan Preng Gjinin të dilte nga makina.

Preng Gjini është vëllai i Armando Gjinit, i cili u vra në mes të Rrëshenit, në Gusht të 2019-s. Shkak i atentatit dyshohet se është hakmarrja. Sipas Drejtori të Policisë Tiranë, bëhet fjalë për një konflikt mes dy fiseve në një qytet tjetër.

Burime nga policia saktësojnë se shkaku i atentatit ka lidhje me disa vrasje që kanë ndodhur në Mirditë vitet e fundit. Për këtë shkak forca të shumta policie janë nisur drejt Mirditës për të kryer kontrolle.

Spitali i Traumës konfirmoi se Preng Gjini iu nënshtrua një operacioni, por ende vijon në gjendje të rëndë për jetën.

Tv Klan