Mbrëmjen e kësaj të hëne ka pasur një shpërthim me tritol në një banesë në Durrës. Klan News raporton se tritoli i është vendosur shtëpisë së autorit të vrasjes së Halil Kokës, Ilir Koçilja. Për këtë ngjarje ai është lënë në arrest me burg. Policia sqaron se si pasojë e shpërthimit ka pasur vetëm dëme materiale, pasi në banesë nuk banon njeri-tjetër.

“Më datë 26.02.2024, rreth orës 19:55, në lagjen nr.4, Durrës, në pjesën e jashtme të dritares së banesës së shtetasit I. K., në të cilën nuk banon njeri, është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e ngjarjes identifikim dhe kapjen e autorit/ve”, njoftoi policia e Durrësit për rastin e sotëm.

Vrasja e Halil Kokës dyshohet se ndodhi pas një sherri mes dy banorëve për parkimin e makinës së viktimës në hyrjen para pallatit. Konflikti e kishte zanafillën disa ditë para vrasjes, që sipas 35-vjeçarit Koçilja, ky i fundit i kërkonte të mos e parkonte makinën aty.

Koçilja tregoi se i kishte gërvishtur mjetin Halil Kokës pasi ky i fundit vazhdonte ta parkonte para pallatit. E sipas tij, ditën e ngjarjes, Halil Koka e kërcënoi.

“Me Halili Kokën ishim fqinj. Kemi qenë shokë, por kohët e fundit nuk shkonim mirë me njëri-tjetrin. Ai linte makinën te hyrja e pallatit. I kisha thënë disa herë që mos ta linte aty se pengonte qytetarët që të kalonin për të shkuar në shtëpi. Kur i thashë mos e lër më makinën aty, ai më ofendoi…”, ka thënë Ilir Koçilja në dëshminë e tij para policisë. (Kliko KËTU për dëshminë e plotë)

46-vjeçari Halili Koka u godit me thikë në zemër dhe humbi jetën gjatë dërgimit për në spitalin e qytetit. Autori u kap nga policia pas disa orësh.

Kur doli para gjykatës Koçilja shfaqi pendesë, por në deklarimet e tij pati paqëndrueshmëri. Avokati i tij tha se klienti ka probleme të shëndetit mendor dhe për këtë arsye është vendosur që t’i bëhet ekspertim i gjendjes psikologjike dhe mendore.

Edhe në vitin 2018 ai ka qenë i dënuar me 4 muaj e 20 ditë burg për përndjekjen e një vajze./tvklan.al