Një sasi eksplozivi është vendosur në një shtyllë tensioni të lartë. Burime policore thonë për tvklan.al se nga shpërthimi është dëmtuar linja elektrike, ndërsa fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.

Lajmi është bërë i ditur fillimisht nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

“Vesi del me shpirtin! Goditet me tritol linja e transmetimit 400 KW në Laç dhe pas 30 vjetësh kapituj sherresh e rrëmujash të nxitura nga e njëjta dorë, dihet kush u bie shtyllave nga tërbimi i dëshpërimit! E keni kot, hidhuni përpjetë sa të doni, këtë vend mbrapa dot s’e ktheni”

, shkruan Spiropali në Twitter.

Burime policore sqarojnë se tritoli është vendosur në një shtyllë tensioni në Fushë-Krujë dhe jo në Laç.

Fushë-Krujë, informacioni pararaprak i Policisë së Durrësit:

Sot në mesditë, punonjësit e OST, pranë fshatit Krastë, Thumanë, konstatuan se njëra këmbë e shtyllës dyfishe të tensionit të lartë (400 KW), Nr. 65, e linjave Tiranë–Podgoricë dhe Tiranë-Prizren ishte dëmtuar me lëndë, të dyshuar eksplozive. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po puno për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. /

tvklan.al