Mister plagosja e një 20 vjeçareje në Tiranë. Komisariati numër 1 në Tiranë, dje në orët e vona të natës u njoftua se ka ndodhur një shpërthim në rrugën “Hoxha Tahsin”. Në apartamentin e shtetases Valentina Hajdini shpërthimi i një bombule gazi dëmtoi rëndë vajzën e saj Suela Hajdini që nëë atë moment ishte e vetme në shtëpi. Suela në atë moment u tha të afërmve të saj se u rrëzua me kokë në dysheme.

Rreth orës 08:00 në Spitalin Ushtarak ku ndodhej e shtruar Suela, Policia mësoi nga mjekët dhe nga njerëzit e afërt se ajo ishte plagosur me një plumb në kokë. Plaga e rëndë i kishte detyruar mjekët t’a shtronin atë në reanimacionin e spitalit. Pasi janë vënë në dijeni të kësaj të fundit policia është rikthyer dhe njëherë në apartamentin e të dëmtuarës.

Në këtë aksion kontroll, policia e komisariatit mobilizoi skuadrat e kriminales si dhe të rendit. Pas kontrollit në banesë nuk u zbulua ndonjë provë e veçantë përveç gjurmëve të shpërthimit. Ndërsa 20 metra larg banesës në drejtim të ballkonit u gjet një gëzhojë pistolete TT.

Policia deri më tani nuk ka ndonjë provë konkrete por sipas disa specialistëve të saj, ai që ka qëlluar vajzën e re me pistoletë nga një largësi e konsiderueshme ka pritur ose ka përgatitur vetë dhe shpërthimin e boombulës brenda shtëpisë. Policia po heton për zbulimin e autorëve të ngjarjes ndërsa Suela ndodhet akoma në rrezik për jetën./tvklan.al

Gazetar : Eduart Frangaj