Një shpërthim i madh ka ndodhur në Itali gjatë natës, ku 3 persona kanë humbur jetën. Agjencia italiane e lajmeve Ansa raporton se shpërthimi ka ndodhur në Ravanusa si pasojë e rrjedhjes së gazit.

Ekipet e shpëtimit nxorrën trupat e pajetë të tre personave, mes të cilëve një grua. Gjashtë të tjerë rezultojnë të zhdukur, kurse 2 vetë janë të plagosur.

Shpërthimi nga rrjedhja e gazit shkatërroi 3 ndërtesa dhe dëmtoi 4 të tjera.

Sipas komandantit të brigadës së zjarrfikësve, rrjedhja e gazit ka ndodhur nën tokë ose në një mjedis të mbyllur dhe shpërthimi ndodhi në momentin që u vendos në lëvizje ashensori.

Në një ndërtesë 4-katëshe që u shkatërrua nga shpërthimi jetonin 9 anëtarë të së njëjtës familje. Një prej tyre u gjet i vdekur, dy u shpëtuan, ndërsa familjarët e tjerë rezultojnë të zhdukur.

Ndërkohë, rrjedhja e gazit është izoluar. Ekipet e zjarrfikësve thonë se zona ngjason me skenar lufte. Ata janë duke kërkuar për të gjetur personat e zhdukur. /tvklan.al