Biden: Presim të tjera sulme këto 36 orë

Kabuli u trondit nga një tjetër shpërthim në afërsi të aeroportit të vendit. Mediat vendase raportuan se nga një sulm me raketë në një zonë të banuar kanë humbur jetën 6 persona, 4 nga të cilët janë fëmijë ndërsa disa të tjerë mbetën të plagosur.

Autorët e sulmit janë ende të paqartë. Kjo pasi në të njëjtën kohë zyrtarët amerikanë njoftuan se kishin eliminuar një sulm terrorist të organizatës ISIS-K.

Ata thanë se neutralizuan me dron një automjet të mbushur me eksploziv që drejtohej nga një kamikaz dhe që kishte si synim aeroportin, por nuk është ende e qartë nëse bëhet fjalë për të njëjtën ngjarje.

Situata në kryeqytetin afgan është mjaft e tensionuar pasi Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëron sulme të tjera të Shtetit Islamik të degës së Afganistanit, brenda këtyre 36 orëve.

Në një deklaratë për shtyp, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se situata në aeroportin e Kabulit është shumë e rrezikshme në këto ditë të mbetura deri më 31 Gusht, për evakuimin e trupave amerikane, stafit diplomatik dhe bashkëpunëtorëve afganë.

Ai vlerësoi sulmin me dronë ku mbeti i vrarë organizatori kryesor i sulmeve vetëvrasëse në aeroportin e Kabulit ku humbën jetën 13 ushtarë amerikanë dhe 169 afganë, ndërsa paralajmëroi se ky ishte vetëm fillimi i fushatës kundër terroristëve në Afganistan.

Vetëm Shtetet e Bashkuara po kryejnë tashmë evakuime civilësh nga aeroporti i Kabulit. Britania e Madhe njoftoi mbylljen e evakuimeve po ashtu edhe vendet e tjera aleate europiane.

Prej mesit të Gushtit janë evakuuar afro 120 mijë njerëz, teksa minimalisht edhe një herë kaq që duan të largohen. Aleatët u kanë bërë thirrje talebanëve të lenë të hapura korridoret e evakuimit edhe pas largimit të trupave të huaja.

Tv Klan