Situata e fruthit në Shtetet e Bashkuara mbetet akoma shqetësuese, kjo pasi një tjetër fëmijë ka ndërruar jetë nga kjo sëmundje ngjitëse, duke ngritur kështu dhe alarmin që vazhdon prej kohësh.
Siç shkruan BBC, mësohet se fëmija ishte i pavaksinuar dhe vuajti nga komplikacionet që i shkaktoi ky virus.
Lidhur me këtë situatë aspak normale, është vënë në dijeni dhe Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F.Kennedy, i cili ka ndjekur më nga afër zhvillimet e fundit në Teksas, aty ku gjendja paraqitet më e rëndë. Kjo ishte dhe vdekja e tretë në statistikat e përgjithshme në javët e fundit.
Fruthi mbetet shqetësues në shtetin jugor ku janë raportuar mbi 480 raste deri më tani këtë vit që nga e premtja, një kurbë që ka njohur rritje nga 420 sa ishte në fillim.
Mësohet se ky virus ngjitës është përhapur dhe në shtete të tjera fqinje.
Më herët, në vitin 2019, kishte patur raste të ngjashme të infektimit me këtë virus, por shpërthimi i kësaj sëmundje ka ndodhur pikërisht këto javë, madje më i madh se ai i viteve 1990.
Ekspertët bëjnë thirrje për rëndësinë e vaksinimit si e vetmja mundësi që njerëzit të shpëtojnë nga kjo fatkeqësi sepse ky virus mund të çojë dhe në komplikacione serioze aq sa të çojnë dhe në fatalitet për jetën.
/tvklan.al