Shpërthimi masiv i një vullkani në Tonga të shtunën, shkaktoi një cunami që u përhap nëpër Paqësor në çështje orësh. Dallgët goditën Australinë, Zelandën e Re dhe Japoninë, ashtu sikurse brigjet perëndimore të Amerikës së Veriut dhe Jugut. Një valë atmosferike u ndje nëpër botë dhe një mjegull masive ka mbuluar ishujt e Paqësorit, e përhapur në qindra kilometra. Por çfarë dihet deri më tani për mënyrën dhe arsyen përse u përhap kaq gjerësisht dhe kaq dhunshëm?

Ku ndodhet Tonga?

Tonga është e përbërë nga rreth 170 ishuj, përgjithësisht të pabanuar dhe ndodhet rreth 3,300 km në lindje të Australisë. Vullkani, Hunga-Tonga-Hunga-Ha’apai, ndodhet 64 kilometra në veri të kryeqytetit. Të shtunën, qendra e vullkanit u zhyt, duke u zhdukur nën det. Rreth 2 orë më vonë shpërtheu me forcë shkatërruese. Kur shpërthimi kishte përfunduar, thuajse gjithçka nga vullkani dhe toka rreth tij, ishte zhdukur. Shpërthimi shkakoi një valë masive atmosferike, që udhëtoi me rreth 300 m për sekondë.  Ndryshimet në presionin ajrit u dalluan edhe në anën tjetër të botës, në Europë, 15 orë më vonë. Shpërthimi u dëgjua nëpër gjithë Paqësorin, nga Fiji në Alaska.

Sa shpejt u përhap cunami?

Dallgët e cunamit u përhapën me shpejtësi në Paqësor. Atyre iu deshën më pak se 5 orë për të mbërritur në Zelandë e Re dhe rreth 10 orë për në Alaskë. Ekspertët thonë se cunami mund të jetë shkaktuar nga rrëzimi i mbetjeve në dysheme e oqeanit dhe u përforcua nga presioni i dallgëve që shtynë nga poshtë drejt sipërfaqes së ujit. Dallgët vijuan edhe të dielën dhe u regjistruan edhe të hënën në Australi.

Dallgët e cunamit mund të jenë shumë më shkatërruese se dallgët normale, edhe kur nuk janë të larta shumë. Një dallge normale mund t’i duhen 15 sekonda për të dalë në breg dhe për t’u tërhequr. Disa prej dallgëve në Australi ishin nën 1 metër, por zgjatën gati 30 minuta. Ato vijuan të lëviznin në breg për 15 minuta dhe iu deshën rreth 15 minuta për t’u tërhequr.

Pse ishte shpërthimi kaq i dhunshëm?

Arsyet ekzakte përse ky shpërthim ishte kaq i dhunshëm po studiohen ende nga ekspertët. Disa besojnë se shpejtësia me të cilën llava e shkrirë shpërtheu nga vullkani mund të ketë luajtur një rol të madh. Kur magma e mbushur me gaz vullkanik detyrohet të dalë në ujin e detit me shpejtësi të lartë, nuk ka kohë për rrymat që ta zbusin. Dhe pikërisht ky ndërveprim shkakton shpërthim masiv kimik, thonë ekspertët. Ujërat në thellësi mund ta kishin zbutur, por sipërfaqja e vullkanit ishte vetëm 150-200 metra nën det.

Cila është situata në terren?

Komunikimi me Tongan është dëmtuar gjerësisht, duke e bërë të vështirë për të identifikuar shkallën e shkatërrimit. Komunikimet me internet dhe telefon janë tepër të limituara dhe zonat bregdetare mbeten të izoluara. Kryqi i Kuq tha se edhe telefonat satelitorë, që përdoret nga shumë agjenci të ndihmës, kanë shërbim tejet të keq për shkak të reve të tymit.

Organizata përllogarit se mbi 80 mijë persona mund të jenë prekur nga cunami. Pluhuri nga vullkani mund të helmojë rezervat ujore dhe banorët janë këshilluar që të pinë ujë me shishe dhe të mbajnë maska. Qeveria e Zelandës së Re, e cila po ndihmon për të identifikuar shkallën e shkatërrimit, thotë se bregu perëndimor i Tongatapu, ishulli kryesor i Tongas, ka pësuar dëme të mëdha.//tvklan.al