Shpërthimi i një vullkani në Meksikë ka tronditur shtëpitë që ndodheshin rreth 60 kilometra larg saj. Hiri i vullkanit u ngjit 3 mijë metra në ajër, ndërsa autoritetet paralajmëruan banorët të largohen nga shtëpitë nëse jetojnë brenda rrezes së vullkanit.

Atyre iu kërkua gjithashtu që të qëndronin në ambiente të mbyllura dhe të mbyllnin rezervuarët e ujit për të shmangur kontaminimin nga hiri vullkanik. Nëse do të duhet të dilnin nga banesa, duhet të mbulonin sytë, hundën dhe gojën me një shami të lagur. Shpërthimi i vullkanit Popocatepetl shkaktoi edhe vatra zjarri në një sipërfaqe prej rreth 2 kilometra.

Ekspertët e Universitetit britanik të Manchester sqaruan se aktiviteti i vullkanit ishte rritur gjatë dy javëve të fundit. Rreth 25 milionë persona banojnë në rrezen prej 100 kilometrash të kraterit të vullkanit. Popocatepetl konsiderohet si një nga 10 vullkanet më të rrezikshme në botë dhe është maja e dytë më e lartë në Meksikë, me një lartësi prej 5452 metra. /

tvklan.al