Shpërthimi masiv në Bejrut, mbi 100 viktima


Shpërthimi masiv në Bejrut, mbi 100 viktima

16:03 05/08/2020

Autoritetet raportojnë për 4 mijë të plagosur

Pasojat e shpërthimit të së martës në kryeqytetin libanez janë katastrofike. Nuk ka mbetur ndërtesë pa u dëmtuar në qytetin prej 2 milionë banorësh, ku kanë shtëpitë rreth 1/3 e popullsisë së vendit. Më e rëndë situata duket pranë zonës së portit ku çdo gjë është shndërruar në rrënojë.

Pasojat janë të ngjashme me ato të bombës atomike që u hodh nga amerikanët në Hiroshima në 1945-ën, edhe pse fuqia e shpërthimit në Bejrut ishte 3 kiloton, sa 1/5 e asaj të Hiroshimës 15 kilotonëshe.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se bëhet fjalë për shpërthimin e një magazine ku mbaheshin të sekuestruara prej 6 vitesh nga një anije 2700 tonë nitrat amoni, pleh kimik fertilizues me nivel të lartë azoti, që përdoret edhe për prodhimin e lëndëve eksplozive.

Bilanci i deritanishëm është mbi 100 të vdekur e rreth 4 mijë të plagosur. Shifrat pritet të rriten, teksa ekipet e emergjencave vijojnë intensivisht kërkimet për gjetjen e trupave.

Presidenti shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe 3 ditë zie kombëtare. Spitalet janë në kolaps, pasi e kanë të pamundur të përballojnë fluksin e madh të të plagosurve. Ndërhyrjet në plagë kryen korridoreve.

Banorët e qytetit shprehen të shokuar për një ngjarje të tillë që banorët e këtij vendi nuk e kishin përjetuar kurrë në historinë e tyre.

“Toka u lëkund, menduam se ishte tërmet. Më pas na u shkatërruan dritaret. Ishte aq i fortë shpërthimi saqë u ndje fuqishëm edhe në këtë lagje periferike”.

Kjo ngjarje i ka shkaktuar vendit një dëm ekonomik prej 5 miliardë dollarësh duke e zhytur edhe më tej në krizën e rëndë ekonomike që e ka mbërthyer prej vitesh.

Tv Klan




Të ngjashme