35 vjeçari vrau pak ditë më parë fqinjin pas konfliktit për vendparkimin
Një sasi lënde plasëse shpërtheu jashtë banesës së Ilir Koçiljas mbrëmjen e kësaj të hëne. Policia bëri të ditur se shpërthimi ndodhi në pjesën e jashtme të dritares së banesës së 35 vjeçarit, në lagjen nr.4 në Durrës. Koçilja aktualisht ndodhet në burg pasi më datë 14 shkurt vrau me thikë fqinjin e tij, Halil Koka.
Në momentin e shpërthimit në banesë nuk ndodhej asnjë familjar i tij, pasi prej kohësh jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Nga shpërthimi ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor pritet të këqyrë të gjitha pamjet e kamerave të sigurisë që ndodhen në zonë për të identifikuar autorin. Sipas dëshmitarëve autori ka qenë i maskuar me kapuç dhe mendohet të jetë larguar përmes rrugicave të lagjes.
35 vjeçari njihet si njeri problematik në zonë, pasi veç vrasjes së fqinjit pak ditë më parë ka patur edhe konflikte të tjera. Koçilja e vrau me thikë në zemër Halil Kokën, pas një sherri mes dy banorëve për parkimin e makinës së viktimës në hyrjen para pallatit. 46-vjeçari Halili Koka humbi jetën gjatë rrugës për në spital.
Kur doli para gjykatës Koçilja shfaqi pendesë, por në deklarimet e tij pati paqëndrueshmëri. Avokati i tij tha se klienti ka probleme të shëndetit mendor dhe për këtë arsye është vendosur që t’i bëhet ekspertim i gjendjes psikologjike dhe mendore. Edhe në vitin 2018 ai ka qenë i dënuar me 4 muaj e 20 ditë burg për përndjekjen e një vajze.
Klan News