Tritoli në banesën e Ilir Koçiljas që vrau fqinjin pas konfliktit për vendparkimin

Në fasadën e jashtme të shtëpisë së Ilir Koçilja, u shkrua “Endacaku Vrasës” e fill pas kësaj iu vu tritol banesës.

Përcjellja e një mesazhi nga persona të paidentifikuar, që policia e Durrësit paraprakisht hetimet i lidh me ngjarjen e ndodhur më 14 Shkurt, ku Ilir Koçilja vrau me thikë fqinjin e tij Halil Koka, është një nga pistat në të cilën po hetohet.

Për të bërë të mundur identifikimin e autorit, policia ka siguruar pamjet e kamerave të sigurisë ku shihet një person me kapele e kapuç, që lëvizte në vendin e ngjarjes pak minuta para shpërthimit.

Grupi hetimor po punon për identifikimin e tij, ndërkohë që të tjerë persona janë marrë në pyetje që mendohet të kenë dijeni për ngjarjen.

Afro 500 gramë me fitil zjarrpërcjellës u vendos në pjesën e jashtme të dritares së banesës së shtetasit Ilir Koçija, i cili ndodhet në paraburgim për vrasje.

Si pasojë e shpërthimit u shkaktuan dëme të konsiderueshme jo vetëm në shtëpinë e Koçiljas, në të cilën nuk banonte askush, por edhe tek makinat e parkuara pranë vendit të shpërthimit si dhe tek apartamentet ngjitur.

Më 14 Shkurt Koçilja, i cili vuan edhe nga probleme të shëndetit mendor vrau me thikë fqinjin e tij Halil Koka për shkak të një vendi parkimi.

Klan News