Në pranga një 28-vjeçar me precedentë penalë

Ky i ri që udhëton me biçikletë në mes të natës, në rrugët e boshatisura të Tiranës, mban me vete një pako me tritol. Ai është autori i shpërthimit në një lokal përballë shkollës “Petro Nini” në Tiranë.

28-vjeçari Franci Alimi është identifikuar nëpërmjet kamerave të sigurisë. Siç dallohet edhe nga pamjet, i riu mban në kokë kapuç dhe shallin deri te sytë, për t’i shpëtuar identifikimit.

Afrohet tek lokali dhe vendos tritolin në derën e xhamit. Bëhet fjalë për lëndë shpërthyese me fitil, pasi siç shihet, ai e ndez me çakmak, si dhe kthehet sigurohet se mos fitili është fikur. Ora shënon 3 e 10 minuta.

Më pas i riu u largua sërish me biçikletë. Policia thotë se 28-vjeçari është me precedentë të theksuar kriminal ku është arrestuar disa herë për drogë, vjedhje dhe plagosje.

Dyshohet se ai është paguar për të vendosur tritolin, por deri më tani ai nuk ka pranuar të tregojë emrin e porositësve.

Ngjarja ndodhi dy ditë më parë, ku banorët e zonës pranë shkollës “Petro Nini” u zgjuan të trembur në mes të natës nga shpërthimi që shkaktoi dëme të shumta materiale.

Tv Klan