Trajneri i Kukësit kërkon Superkupën

Superkupa e Shqipërisë që do të diskutohet mes Partizanit dhe Kukësit është trofe që kërkohet nga të dy skuadrat. Jo për vlerën e trofeun më shumë se sa për moralin e skuadrës në prag të nisjes së sezonit të ri.

“Është i rëndësishëmpër të dyja skuadrat, një test pozitiv. Janë dy ekipe që kanë rivalizuar sezonin e kaluar. Them që kjo e bën interesante finalen e Superkupës. Partizani, duke iu referuar ndeshjeve të fundit në Europë, është më para. Kukësi ka ndryshime, sepse janë larguar tre lojtarë bazë, si Cuculi, Rrumbullaku dhe Rama”, thotë trajneri i Kukësit, Shpëtim Duro.

Duro, që është ndoshta njohësi më i mirë i Partizanit, e ka stërvitur skuadrën për këtë përballje të rëndësishme.

“Ne jemi përgatitur, Partizani atë fizionomi ka. Më shumë ka qenë ekip racional, por me rendiment. Edhe ndaj Sherifit, ajo skuadër ka qenë. Ka ndryshuar pak vendosjen për sa i përket skemës. Ne kemi punuar, që të përgjigjemi me atë skemë që ka Partizani”.

Sipas Duros, Partizani dhe Kukësi do të jenë rivalë edhe për trofetë e këtij sezoni.

Tv Klan