Në operacion, forcat shqiptare dhe ato të KFOR-it
2 turistë zviceranë mbetën të bllokuar për mbi 12 orë në Malin e Korabit. Çifti i të rinjve 22 dhe 25 vjeç ishin nisur për eksplorim pasditen e së dielës, por nuk kishin mundur të ktheheshin pasi u bllokuan nga rënia e një orteku në vendin e njohur si Maja e Sokolit.
Siç duket edhe në këto pamje, ata u gjetën të mbuluar nga dëbora dhe njëri prej turistëve kishte thyer këmbën. Me marrjen e informacionit në operacionin e shpëtimit, u angazhuan forca të Policisë së Dibrës, Kukësit, Policisë Kufitare, Forcave të Armatosura, por edhe KFOR-it. Në ndihmë të tyre shkuan edhe banorë të zonës.
“Ne u ngjitëm lart të gjithë banorët. Kush pati mundësi që të ngjitej më lart, më mirë. Ne sa shkuam atje, erdhën helikopterët dhe i morën.”
“Ajo goca ishte shumë mirë, po ai çuni shumë keq kishte qenë.”
“Ishin të mbuluar me borë, vetëm fytyrën kishin jashtë.”
Në operacion u përfshi edhe një grup alpinistësh nga Kosova.
“Misioni u krye me sukses, faleminderit për vendasit që kanë qenë gjithmonë mikpritësa dhe kanë kryer punën siç e kërkon tradita shqiptare.”
Pas nxjerrjes nga dëbora, turistët zviceranë u transportuan për në Spitalin e Traumës në Tiranë me anë të një helikopteri të KFOR.
Tv Klan