Ishin bllokuar nga rënia e një orteku dëbore, njëri prej tyre në gjendje të rëndë

Aventura e dy turistëve zviceranë, në bjeshkët e Korabit nuk shkoi siç duhet.

Dy të rinjte 22 dhe 25-vjeçar pasi u ngjitën për disa orë në malësi nga zona e Dibrës mbetën të bllokuar për rreth 8 orë në dëborë pasi gjatë eksplorimit të malit, një ortek dëbore i zuri duke i ngecur në një shpat mali në zonën e njohur si Maja e Sokolit.

Falë telefonit të tyre ata mundën të njoftonin pronarët e bujtinës ku ishin strehuar prej disa ditësh duke u dërguar vendodhjen. Dy të rinjt e zonës Korab Visha dhe Alfred Lita tregojnë për Klan Neës se si i gjetën të mbuluar nga dëbora turistët.

“Ishte shumë e vështirë, frynte shumë. Ishte shumë erë dhe dëborë shumë. Ishte shumë e vështirë, por i gjetëm më lokacion. Na e çuan (lokacionin) dhe shkuam i gjetëm atje. Kishin rënë në një shpat mali në kufi me Kukësin. Ajo goca ishte shumë mirë, por çuni shumë keq.”

“Shumë vështirë ishte ngaqë ka shumë dëborë edhe ngrica. Ishin të mbuluar më dëborë, vetëm fytyrën kishin jashtë.”

“Është munduar helikopteri i ministrisë së Mbrojtjes për të bërë evakuimin e tyre, por e ka pasur të pamundur. Më pas një helikopter i KFOR-it i ardhur nga Prizreni ka bërë evakuimin e dy turistëve zvicerian drejt spitalit të Traumës në Tiranë.”

Operacioni për forcat e kërkim-shpëtimit të Kosovës zgjati për 24 orë për shkak të terrenit të vështirë.

Ata së bashku me banorët e zonës i dhanë ndihmën e parë çiftit të cilët kishin mbijetuar në temperatura tejet të ulëta për rreth 8 orë. 

“Ka pas të raskapitur, sepse distance është shumë e lartë. Është dashur të kujdesemi për të lënduarit. Mbaruan edhe rezervat e ushqimit sepse nuk  e planifikuam që ka për të pasur kaq vonesa pasi nuk ka pasur vend për aterimin e helikopterit dhe është dashur të riorganizohet procesi dhe mënyra e evakuimit të dy të lënduarve.”

Sipas informacioneve nga bluzat e bardha, gjendja shëndetësore e të riut paraqitet e rënduar ndërsa gruaja në gjendje më të stabilizuar. Ata qëndronin në një bujtinë në Kalanë e Dodës prej disa ditësh dhe e kishin planifikuar udhëtimin e tyre në bjeshkët e Korabit prej disa kohësh.  

Klan News