Pas më shumë se 9 orësh betejë me flakët, zjarrfikësit francezë arritën të shpëtojnë strukturën kryesore prej guri dhe dy kullat e famshme të Katedrales Notre-Dame në Paris.

Një ndër veprat mishëruese të kryeqytetit francez dhe pikat më të famshme turistike në mbarë botën, u përpi nga një zjarr masiv pasditen e së hënës.

Çatia e “Notre Dame” u shkrumbua krejtësisht. Të njejtin fat pati edhe maja e Katedrales, një ndër pikat më të larta të Parisit të vjetër.

Flakët nisën fillimisht në pjesën e majës, aty ku prej disa skela për restaurimin e objektit 850-vjeçar dhe u përhapën me shpejtësi në gjithë çatinë. Reja e tymit ishte aq e madhe sa dukej në të gjitha këndet e qytetit.

Shkaqet e kësaj tragjedie kulturore mbeten ende të panjohur, ndërsa prokuroria e Parisit ka nisur tashmë hetim.

Presidenti francez Emanuel Macron ndoqi nga afër të gjithë operacionin për shpëtimin e Katedrales. Bashkë më Notre Dame u dogj edhe një pjesë e jona, tha Macron. Shefi i Elizesë premtoi rindërtimin e plotë të pjesë së djegur dhe rikthimin e plotë të katedrales emblemë të Francës. Të tmerrshme i konsideroi pamjet e flakëve edhe presidenti Tramp.

Ekspertët e vlerësojnë këtë ndërtesë si modelin më të përsosur të arkitekturës Gotike në Europë. Katedralja nisni ndërtimin në 1160-ën dhe u hap 100 vite më pas. Ishte ndër më të vizituarat në Europë me mbi 12 milionë vizitorë çdo vit.

Tv Klan