Ipeshkvi i Rrëshenit, Dom Gjergj Meta, në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan ka prekur problemin social të shoqërisë, atë të largimit nga vendi.

Shpopullimi është një plagë e hapur e shoqërisë shqiptare. Sipas Dom Gjergj Metës, kjo ndodh për shkak të mungesës së shpresë së vazhdimësisë.

“Duket diçka e pandalshme dhe shpopullimi krijon probleme jo vetëm zbrazje, por problemi tjetër gati kriminale është që ata që mbeten kanë varfëri të dyfishtë sepse janë të izoluar, janë në kurth.

Mendoj që këtu është mungesa e një lloj shprese të vazhdimësisë. Janë në kërkim të një sistemi që funksionon.

Në Shqipëri ende nuk funksionojnë hallkat ashtu siç duhet të gjitha. Ka familje që janë në zona thella dhe janë në kurth sepse as janë të zotë që të rrinë aty, as janë të zotë që të ikin nga aty.

Ikja nuk na bën mirë si vend, por ama nuk e kemi bërë analizën sakte pse po ikin. Ikja është një dëm tashmë”.

Përfshirja në krim është një tjetër plagë e shoqërisë shqiptare. Kjo e fundit, sipas Dom Gjergj Metës, është një shoqëri e sëmurë.

“Unë mendoj që është një shoqëri e sëmurë në bazën e saj. Krimi është e keqe, por krimi i organizuar është një kancer që kërkon sforco shumë të mëdha për të bërë. Një shpërfaqje e madhe e krimit, sidomos të organizuar, tregon një shoqëri të sëmurë, një sistem të kapur dhe tregon se shoqëria ka nevojë për injektim të vlerave që e bëjnë një shoqëri të jetë e mirë. Solidariteti neve na mungon tërësisht. Unë njoh në Shqipëri shumë biznesmenë. Po të shkosh t’u thuash kam nevojë për këtë gjë, ata thonë na thuaj sa do. Mendoj që solidariteti me ata që nuk kanë duhet të jetë një fakt thelbësor i jetës së një kompanie, por jo sepse shkoj unë. Shëndeti i një kompanie varet nga shëndeti i asaj shoqërie”.

Sa i përket harmonisë fetare në vendin tonë, Dom Gjerg Meta thotë se është reale dhe e vlerëson këtë gjë.

/tvklan.al