Paketa e re fiskale, që pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027, synon të ulë koston e jetesës përmes uljes së TVSH-së për produktet bazë. Megjithatë, ekspertët e ekonomisë, të ftuar këtë të mërkurë, më 28 tetor, në emisionin “Rudina” ngrenë shqetësimin se përfitimi mund të mos reflektohet plotësisht në çmimet që paguajnë qytetarët, ndërsa ndryshimet fiskale mund të shtojnë kostot për bizneset.
Eksperti Ergis Sefa theksoi se qeveria duhet të mbikëqyrë zbatimin e masave, në mënyrë që ulja e TVSH-së të sjellë realisht çmime më të ulëta për konsumatorët.
“Pa dyshim që tentativa për t’ia lehtësuar jetën qytetarëve është gjë e mirë. Tentativa për të pasur një përmirësim të kostos së jetesës, uljes së çmimeve është gjë e mirë. Por, unë shpresoj që të mos jetë thjesht për fasadë por të jetë realisht e zbatueshme.
Çelësi i zbatimit është monitorimi dhe mbikëqyrja që do të bëjë qeveria. Sidomos tek çmimet e shportës, tek përfitimi final i konsumatorëve. Ti mund ta ulësh me 14% TVSH-në në çmimet e shportës, dhe mielli, buka, mishi, bulmeti të duhet të kushtojnë 14% më lirë. Por, nëse ti nuk e mbikëqyr dhe monitoron, praktikisht këtë 14% thjesht do ta marrin tregtarët e shumicës apo të pakicës.”
Një tjetër shqetësim lidhet me rritjen e mundshme të çmimeve gjatë dhjetorit, përpara hyrjes në fuqi të paketës. Sipas ekspertit, nëse çmimet rriten në fund të vitit dhe më pas ulet TVSH-ja në janar, qytetarët mund të mos përfitojnë uljen e premtuar.
“Do hyjë në 1 janar paketa, po ne e dimë që zakonisht në fund të vitit rriten çmimet. Mirëpo me të vërtetë ti do e ulësh 14% TVSH-në në janar, po do jetë ulje nga rritja e çmimit që do ndodhë në dhjetor apo do jetë nga ky çmimi që është tani? Këto janë çështje që duhet t’i sqarojë qeveria, se nëse është ulje nga rritja e çmimit të dhjetorit, ti praktikisht nuk është se ke ulur gjë.”
Edhe ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi ngriti pikëpyetje për efektin që do të kenë masat te qytetarët, duke kujtuar se rënia e euros nuk është shoqëruar me ulje të çmimeve të produkteve të importuara. Sipas saj, nismat fiskale duhet të shoqërohen me kontrolle konkrete në treg, për të mos mbetur vetëm premtime.
“Në fakt kohët e fundit kemi parë një nënçmim të euros, pra euro ka rënë. Ndërkohë që ne kemi një numër të madh produktesh që importojmë dhe për këto produktet e shportës. A është reflektuar për qytetarët shqiptarë një ulje e çmimit? Nuk është reflektuar. Dhe ndaj doli iniciativa e pasqyrës së çmimeve për të monitoruar. Por problemi i madh është që ne ndoshta kemi nisma shumë pozitive, por gjithmonë këto nisma nuk kanë dhënë efekte te qytetarët shqiptarë. Për shembull, edhe ne këtu jemi skeptikë. A do të japë efekt? Ose ndoshta efekti do të jetë afatshkurtër, për gjashtë muaj apo ndoshta për një vit.”
Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet e shpeshta fiskale krijojnë pasiguri për bizneset dhe planet e tyre të investimit. Sefa theksoi se lehtësimi i jetesës së qytetarëve nuk duhet të bëhet duke rënduar bizneset, pasi kjo mund të ndikojë në aktivitetin ekonomik.
Ekspertja Radonshiqi kërkoi gjithashtu më shumë konsultim me grupet e interesit, duke theksuar se ndryshimet fiskale duhet të bëhen në mënyrë të studiuar dhe transparente, në mënyrë që të mos cenojnë investimet dhe të mos sjellin rritje të mëtejshme të çmimeve.
/tvklan.al












Botërori 2026 