Kim Kardashian ka zbuluar detaje tronditëse nga marrëdhënia me ish-bashkëshortin Kanye West, duke pretenduar se gjatë një udhëtimi në Ugandë, në vitin 2018, një polic i drejtoi armën në kokë, pas një incidenti të shkaktuar nga paranoja e reperit.

Ngjarja përshkruhet në biografinë e re “Citizen Kim: The Woman Who Created the Future”, të gazetarit Jonathan Van Meter. Sipas rrëfimit të Farnaz Farjam, producente ekzekutive e “Keeping Up with the Kardashians”, West dyshohet se ishte bërë paranojak dhe kishte bindur policinë lokale se dikush po përpiqej ta drogonte.

Policia mbërriti e armatosur dhe kontrolloi dhomat e ekipit, ndërsa, sipas librit, një prej efektivëve ia drejtoi armën Kardashianit në kokë. Situata ishte aq e tensionuar, sa Farjam u detyrua të merrte me qira një avion privat për të larguar ekipin. Përfaqësuesit e Westit nuk kishin komentuar pretendimet deri në publikimin e raportimit.

Pavarësisht vështirësive dhe ndarjes, Kardashian ka pranuar se vazhdon të shqetësohet për ish-bashkëshortin, me të cilin ka katër fëmijë. Në librin e ri, ajo flet hapur për barrën emocionale të bashkëprindërimit dhe përpjekjet për t’i mbrojtur fëmijët nga konfliktet mes tyre.

“Vazhdoj të shqetësohem për të. Gjatë gjithë ditës. Ai është babai i fëmijëve të mi dhe gjithmonë do të shqetësohem për të. Është një barrë e rëndë kur ke fëmijë me dikë me të cilin nuk pajtohesh aq mirë. Fëmijët e mi nuk duhet ta dinë kurrë këtë”.

Ylli televiziv ka treguar se përpiqet të ruajë një marrëdhënie sa më të qetë me Westin, edhe kur komunikimi mes tyre është i kufizuar. Ajo dëshiron që fëmijët ta shohin të atin në mënyrë pozitive dhe të mos përfshihen në problemet e prindërve.

“Prej një kohe gjërat kanë qenë mjaft të qeta. Ndoshta sepse nuk flasim shumë. Por, kur takohemi, përqafohemi”, ka deklaruar Kardashian, duke pranuar gjithashtu se shpreson që situata të përmirësohet për hir të fëmijëve.

Kim Kardashian dhe Kanye West u martuan në vitin 2014 dhe finalizuan divorcin në vitin 2022. Ata kanë katër fëmijë: North, Saint, Chicago dhe Psalm.

/tvklan.al