Shqipëri, 1 në 10 gra jetojnë nën dhunë ekonomike

Shqipëri, 1 në 10 gra jetojnë nën dhunë ekonomike

20:13 09/09/2019

Nëna e 4 fëmijëve rrëfen sagën e vuajtjeve që e çoi në divorc

Në çdo 10 gra shqiptare njëra prej tyre ka përjetuar dhunën ekonomike nga bashkëshorti apo partneri i tyre, ky është studimi më i fundit nga INSTAT. Edhe pse jetojmë në periudhë ku roli i gruas në ekonomi dhe biznes është i rëndësishëm, përsëri forma më e përhapur e dhunës është kufizimi i lirisë së grave.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, 7% e grave kanë përjetuar dhunë ekonomike. Më konkretisht, 4,0% e grave raportuan se bashkëshortët apo partnerët e tyre nuk i lejonin të gjenin një punë. Gjithashtu, 3,8% e grave raportuan se bashkëshortët apo partnerët ua merrnin të ardhurat kundër vullnetit të tyre.

Por çfarë do të thotë dhunë ekonomike…? Dhuna ekonomike përfshin akte të tilla si mohimi i parave, refuzimi për të kontribuar financiarisht, mosplotësimi i nevojave për ushqim dhe nevojave bazë, dhe kontrolli i qasjes në shërbimin shëndetësor, punësim, dhe të tjera.

Grupmoshat 18-24 dhe 45-54 vjeçe janë më të prekura nga ky fenomen, edhe pse nuk dihet ende pse si pasojë e mungesës së kërkimeve.

Të ftuara në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të diskutuar lidhur me këtë temë ishin Sevim Arbana, aktiviste e shoqërisë civile dhe Kryetare e Shoqatës në Dobi të Gruas Shqiptare dhe Edlira Çepani, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe Koordinatore e Rrjetit Barazi në Vendimmarrje.

“Pavarësia ekonomike e gruas është baza dhe duhet të jetë për çdo grua një sirenë alarmi, nëse një burrë thotë ti nuk ke pse punon se punoj unë. Të ardhurat ekonomike sot janë, nesër mund të mos jenë, njerëzit dhe gratë nuk duhet të frikësohen. Mospasja e të ardhurave nuk është alarm, është të mos jesh i sigurt në mirëqenien mendore, harmonia shpirtërore”, u shpreh aktivistja Sevim Arbana.

 Por a ndikon arsimimi i grave në pranimin dhe tolerimin e kësaj dhune ekonomike?

Edlira Çepani tha se, “kjo është ABC-ja. Nëse niset ky diskutim duhet të niset nga mundësia e grave dhe vajzave për tu edukuar. Që në vegjëli duhet të edukohet që rruga e tyre është arsimi dhe jo martesat e hershme dhe konsideromi i tyre si barrë e familjes ekonomike. Është një mentalitet i një shoqërie të tërë i cili është një pengesë e madhe për gratë dhe vajzat që në fillim të edukimit të tyre, bëjë këtë gjë se do shkosh tek burri, etj”.

Një nënë e katër fëmijëve ka rrëfyer  historinë e saj për emisionin “Rudina”. Sipas saj dëshira për të punuar ka bërë që të lindin problemet me bashkëshortin ku dhe u divorcuan.

Rrëfimi nënës së 4 fëmijëve: Në vitin 2011 kanë nisur debate. Në atë vit erdhi në jetë vajza dhe doja të punoja që të kisha një jetë më të mirë për vajzën time. Bashkëshorti im nuk më la të dilja nga dera, as të punoja. Ishte shumë xheloz dhe i thashë pse nuk më le të punoj? Na ka ardhur një vajzë në jetë, do për të ngrënë, për të pirë dhe i thashë se do dal e punoj si të gjitha gratë e tjera që të kemi një jetë më të mirë. Si mua ka dhe shumë gra të tjera që kanë ardhur në këtë punë. Ai nuk punonte dhe as unë. Më pas erdhi në jetë vajza tjetër dhe i thashë, burrë çdo bësh tani se ne nuk kemi kushte për ta mbajtur, por ai tha jo. Ishim 4 veta në shtëpi dhe nuk kishim kushte për të jetuar. Unë mora guxim dhe dola të punoj. Ai më kapi me shkelma dhe grushte afër fabrikës. Pastaj nuk kisha më mundësi të punoj se vazhdoi dhuna. Për momentin jam e vetme me 4 fëmijë. Jetoj në shtëpi me qira dhe e papunë. Një ditë punoj si pastruese, një ditë nuk punoj. Unë kam qejf të gjej punë, po i duan me shkollë, unë 8 vite kam bërë shkollë. Mora vendimin për tu ndarë nga bashkëshorti në vitin 2017, pasi nuk duroja dot dhunë- dhunë. Unë i thashë më nuk vazhdoj, i kam 4 fëmijët dhe jam nënë shumë e lumtur. Bukë e kripë do ha, familja ime më ka ndihmuar. Tani duhet të bëj sakrificë me i rrit, unë për ata jap dhe jetën time. /tvklan.al

Të ngjashme
UKT