Ministrja e Brendshme e Britanisë së Madhe, Priti Patel, ka zhvilluar një vizitë në Tiranë ku është takuar me ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi.

Palët nënshkruan Marrëveshjen e Ripranimit, e propozuar nga Britania pas daljes së saj nga Bashkimi Europian.

“Kjo marrëveshje e propozuar nga qeveria britanike pas daljes nga Bashkimi Europian, është e bazuar në modelin komunitar dhe vjen në përputhje me angazhimin e të dy vendeve tona për të frenuar migracionin e paligjshëm. Përmes saj rregullohen procedurat e ripranimit dhe tranzitit në rastet e dëbimit të personave, hyrja ose qëndrimi i të cilëve është i paligjshëm në territoret e shteteve të tyre”, thotë ministri Çuçi në një postim në Facebook.

Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm dhe homologia e tij britanike diskutuan edhe për thellimin e hetimeve të përbashkëta dhe shkëmbimin e informacionit në kohë reale për grupet kriminale që veprojnë si në Britani, ashtu dhe në Shqipëri.  

“I rikonfirmova ministres gatishmërinë për thellimin e hetimeve të përbashkëta përmes shkëmbimit intensiv të informacionit, për grupe kriminale që operojnë në dy vendet, apo elementë që përpiqen t’i fshihen drejtësisë. Po kështu e njoha me punën për reformimin e vazhdueshëm të Policisë së Shtetit, për të ndërtuar një marrëdhënie të fortë besimi me qytetarët dhe për ta qasur trupën gjithnjë e më shumë si shërbim e jo si forcë. Shqipëria mirëpret asistencën dhe ekspertizën e Britanisë së Madhe në ngritjen e kapaciteteve, sidomos në fusha që lidhen me teknologjinë dhe inovacionin, që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen cilësore dhe efikasitetit e punës së Policisë së Shtetit”, shprehet ministri i Brendshëm Bledi Çuçi. /tvklan.al