Christian Panucci pritet të luajë me një formacion eksperimental në miqësoren me Kosovën të martën në Zyrih. Nga minuta e parë mund të shikojmë në sulm debutuesin Guri dhe Cikalleshin. Në formacionin e parë, një vend mund të jetë edhe për Ndojin në mesfushë, ku Roshi është veteran, pasi Ramadani dhe Qaka nuk kanë shumë kohë me ekipin.

Në mbrojtje priten Hysaj, Veseli Gjimshiti e Lika, ndërsa në portë Berisha. Do të mungojnë Vajushi e Binaku, të cilët ishin në listë, por është lënduar edhe Lenjani. Në konferencën para ndeshjes trajneri Christian Panucci tha pse zgjodhi këta kundërshtarë për miqësoret para Ligës së Kombeve.

“Kosova skuadër e mirë, me talente. Ukraina është e fortë si Skocia, por dhe Izraeli ka lojtarë me rëndësi. Doja një kundërshtar pak më të dobët se ne dhe një pak më të fortë. Jam i bindur se kjo skuadër mund të bëjë shume”.

Panucci tha se është gjithmonë në kërkim të talenteve dhe se Kombëtarja është e hapur për të gjithë. Stërvitjen e fundit e zhvilloi edhe Kosova në stadiumin ku do të luhet sfida të martën në orën 20:00. Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes e cilësoi si një ndeshje mes vëllait të madh Shqipërisë dhe atij të vogël Kosovës. Ai ka afruar edhe lojtarë të rinj në këtë sfidë përgatitore për Ligën e Kombeve.

Tv Klan