
Deputetja gjermane: Të përforcojmë dhe intensifikojmë më shumë bashkëpunimin mes nesh
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka pritur sot në një takim në Kryesinë e Kuvendit, deputeten e Bundestagut Gjerman, njëkohësisht edhe nën kryetare e Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate (SPD) Gabriela Heinrich.
Pas takimit, Balla dhe Heinrich kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat. Gjatë fjalës së saj, Heinrich u bëri thirrje të gjithëve atyre që kanë mundësi të vizitojnë Shqipërinë, pasi siç e tha edhe deputetja gjermane do të gjejnë një vend europian. Deputetja Heinrich theksoi se në takimin me Ballën, është rënë dakord që të intensifikohen marrëdhëniet Shqipëri-Gjermani.
Gabriela Heinrich: Qytetarët e Shqipërisë ndjekin, punojnë dhe mbështesin me entuziazëm procesin e integrimit europian. Ne e ndjejmë këtë entuziazëm në çdo cep dhe mjedis të Shqipërisë. Ne kemi rënë dakord që të përforcojmë dhe intensifikojmë më shumë bashkëpunimin mes nesh. Të gjithë ata që kanë mundësi të vijnë në Shqipëri, do të gjejnë në Tiranë një vend krejtësisht europian me njerëz të cilët me entuziazëm na vijnë pranë. Qytetarët e këtij vendi jetojnë në paqe në familjen europiane. Ne duam të intensifikojmë marrëdhëniet tona. Shqipëria na ka treguar se me këtë entuziazmin dhe motivimin, mund të arrijmë shpejt progres për vendin dhe njerëzit në Shqipëri. Ky proces do të sjellë përmirësim dhe ky është avantazh./tvklan.al