Bashkëpunim edhe për energjinë elektrike

Shqipëria dhe Greqia do ta shtrinë edhe më tej bashkëpunimin në sektorin energjetik dhe atë rrugor e hekurudhor. Pas disa takimeve në Athinë me homologët e saj grek, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se një nga dakordësimet e para lidhet me shkëmbimin e energjisë mes 2 vendeve, në një kohë kur e gjithë bota po përballet me këtë krizë.

“Shqipëria dhe Greqia janë të lidhura ngushtësisht përmes një linje moderne, e cila mund të përdoret për të depozituar energji në të dyja vendet tona ose për të krijuar kontrata shitjeje afatgjata që do të kenë një çmim shumë më të mirë se sa ai i tregut. U diskutua për asistencën teknike që ne mund të marrim nga Ministria e Energjisë dhe e Ambientit Greke, për sa i përket magazinimit të energjisë që është një nga çështjet më të rëndësishme të BE”.

Balluku zbuloi se së shpejti do të nënshkruhet edhe një memorandum bashkëpunimi për një projekt të përbashkët, që do të lidhë të dy shtetet përmes hekurudhës. Po ashtu ministrja tha se në takimet me zyrtarët grekë u diskutua edhe për rinisjen e punës për ndërtimin e Korridorit Blu. Korridori blu ose ndryshe korridori Adriatiko-Jonian, parashikon të lidhë vendet e Ballkanit me Europën Qendrore dhe Italinë e Veriut.

Tv Klan