Porta është në balotazh për ndeshjen kualifikuese të Euro 2024

Sylvinho duket se dilemë ka vetëm portën ndaj Moldavisë sipas asaj që tha në konferencën e djeshme. Takimin që do të luhet sot në stadiumin “Air Albania” dhe do të transmetohet në TV Klan prej orës 20:45 shikohet si një nga 7 finalet në rrugën drejt Euro 2024.

Balotazhi është mes Berishës dhe Strakoshës, që kanë qëndruar në stol me ekipet e tyre këtë sezon. Kjo do të qartësohet pak para ndeshjes ku do të dorëzohet edhe lista e 11 titullarëve.

Në mbrojtje pritet të vendosen Hysaj, Ismajli, Gjimshiti dhe Mitaj. Në mesfushë pak më i tërhequr Ramadani, ndërsa Bare e Bajrami më të orientuar në drejtim të sulmit.

Cikalleshi si sulmues kryesor i mbështetur nga Asani e Uzuni. Trajneri Sylvinho tha se këto ditë ka patur më shumë mundësi të përçojë idetë e tij, ndërsa kanë analizuar kundërshtarin me video.

Në takimet e mëparshme, ka patur 4 fitore për kuqezinjtë dhe 1 barazim. Shqipëria nuk ka asnjë pikë deri më tani, pasi e humbi sfidën e parë me Poloninë, ndërsa Moldavia ka 2 barazime në po aq ndeshje. Fitorja është një detyrim në garën për një vend në Europian dhe për të shkuar më të motivuar në transfertën e së martës me Ishujt Faroe.

Tv Klan