Ndeshja e 7 Qershorit ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë nxit natyrshëm interes të jashtëzakonshëm për shqiptarët e të gjitha trojeve. Federata e Futbollit hapi procesin e aplikimit për rezervimin e biletave të sfidës kualifikuese të Botërorit 2026.

Menjëherë pas publikimit të njoftimit, se aplikimi mund të bëhej në platformën “ebileta.al”, mbështetësit janë dyndur, duke krijuar radhë të gjata virtuale dhe shkaktuan bllokimin e faqes së biletave online.

Edhe pse afati i aplikimeve do të zgjasë deri më 30 Maj, të shumtë ishin ata që nxituan të bënin rezervimet. Duke njohur interesin përtej kapacitetit të stadiumit Arena Kombëtare, kjo ishte arsyeja përse blerja e biletave do të bëhet me aplikim.

Hapat që do të ndiqen janë të thjeshtë:

Të interesuarit regjistrohet nëpërmjet adresës së email-it. Zgjidhet tribuna e stadiumit, plotësohen të dhënat personale (emër, mbiemër, e-mail) në formularin përkatës. Përfundohet me sukses aplikimi, për t’u bërë pjesë e procesit të përzgjedhjes me short.

Konfirmimi për përfundimin me sukses të procesit vjen me e-mail automatik. Pas mbylljes së aplikimeve më 30 maj, do të zhvillohet përzgjedhja e rastësishme dhe automatike e tifozëve që do të sigurojnë bileta, përmes shortit elektronik. Ata do të marrin një link unik për të kryer pagesën online, nga data 30 maj deri më 2 qershor 2025.

Tv Klan