SHBA: Jeni model për 5G, larg ndikimit malinj të Kinës

Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit ekonomik që i hap rrugë ndërtimit të HEC-it të Skavicës. Në krah të Nënsekretarit amerikan për  Zhvillimin Ekonomik, Energjinë dhe Mjedisin, Kith Krach, kryeministri Rama e cilësoi investimin amerikan, realizim të një ëndrre gjysmëshekullore që shënon nisjen e një kapitulli të ri për investimet e huaja në Shqipëri.

“Do të rrisë eksportet shqiptare dhe do të çfusë në rrugën përfundimtare të realizimit ndërtimin e HEC-it të Skavicës. Gjë që e kthen Shqipërinë nga një vend i pasur nga burimet energjetike, por i varur nga moti, në një vend sovran në aspektin e prodhimit të energjisë.”

Hidrocentrali i Skavicës i është besuar kompanisë amerikane Bechtel që ka ndërtuar Rrugën e Kombit, emrin e të cilës e zbuloi gjatë konferencës për shtyp nënsekretari amerikan Krach, i cili e quajti projektin si historik e me rëndësi kombëtare.

“Jam i lumtur të nënshkruaj sot memorandumin për ndërtimin e Skavicës nga një kompani e madhe amerikane Bechtel. Nuk mendoj që do të kishit zgjedhur një partner më të mirë për hidrocentralin tuaj sesa firma që ndërtoi digën më të famshme në SHBA, digën Huver dhe projekte të tjera të famshme të ndërtimit.”

Sikundër në përgjigje të letrës së dërguar nga Presidenti Trump, edhe me zotin Krach, Kryeministri ripërsëriti qëndrimin e qeverisë shqiptare se do të jetë në krah të investimeve që vijnë nga aleatët strategjikë, duke garantuar angazhimin në rrugën e pastër të teknologjisë 5G.

“Shqipëria e shikon rolin e saj në rajon jo vetëm konstruktiv në ruajtjen e paqes dhe dialogut, por edhe një dialog proaktiv për rrugët e pastra të teknologjisë 5 G, janë rrugë të pastra për fëmijët tanë dhe të ardhmen. Ne nuk mund të lejojmë që një ditë të bukur fëmijët tanë të zgjohen dhe të jetë shumë vonë, në këtë aspekt jemi të lumtur që nuk jemi vetëm dhe jemi në krahun e atyre që janë miqtë tanë më besnik dhe të besueshëm dhe që nuk kanë për ne ndonjë nevojë që t’i detyrojë që të jenë miqtë tanë, por shohin tek ne ata që ne shohim tek ata, partnerë të besueshëm dhe miq të mirë në ditë të vështira.”

Nënsekretarin amerikan e cilësoi Shqipërinë si model në qëndrimin për 5G-në, duke qëndruar larg ndikimeve malinje, si Kina.

“Për dy javë i rashë këmbë e kryq Europës,  por jam i lumtur që më të mirën lashë për në fund. Kërcënimi i privatësisë së të dhënave intelektuale dhe sigurisë kombëtare. Ky kërcënim vjen nga ndërhyrja e aktorëve malinjë, Partia komuniste kineze. Mbështetja juaj e hapur në përkrahje të rrjeteve të sigurta të telekomunikacionit po jep një shembull të fortë. Është një model. Shqipëria është një vend i rrugës së pastër. Shqipëria është bashkuar me valën e rrugës së pastër dhe ne jemi të kënaqur”.

Në krah të zyrtarit të lartë amerikan, kryeministri ironizoi me Europën që ka kufizuar lëvizjet me Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara.

“Edhe pse më vjen mirë që kemi një gjë të përbashkët shqiptarët dhe amerikanët këto kohë në këto kohë, që në Europë nuk na lejohet të hyjmë”.

Ky memorandumi i Bashkëpunimit Ekonomik për rrjete dixhitale të sigurta, zhvillimin e burimeve hidrike dhe përpunimin e gazit të lëngshëm, është i pari, që firmoset mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas Marrëveshjes Ekonomike të vitit 1992 dhe e bën Shqipërinë një vend të besueshëm për investimet amerikane.

Gjatë konferencës për shty Kryeministri Rama falenderoi Presidentin  Amerikan, Donald Trump për arritjen e marrëveshjes mes Serbisë e Kosovës, duke i uruar këtij të fundit shërim sa më të shpejtë nga Covid-19.

Tv Klan